Vangjush Saro
![Raimonda Moisiu]()
Raimonda Moisiu
Raimonda Moisiu është tashmë një poeteshë dhe publiciste e njohur dhe një personalitet në ngjitje i jetës së diasporës mbarëshqiptare. Ky shkrim rreh të portretizojë pikërisht në mënyrë sa më realiste një prej intelektualeve shqiptare që prej disa kohësh ka tërhequr vëmendjen e një publiku të gjerë; dua të formuloj pra, në këto radhë, gjithë nderimin tim për krijimtarinë letrare të saj, për poezitë, publicistikën, sa edhe përfshirjen në një sërë veprimtari mbarëshqiptare. Një grua e rrallë, që u ngrit mbi dramën e saj vetiake, për t’i dhënë shoqërisë shqiptare, veçmas diasporës, më të mirën e shpirtit dhe të talentit të vet natyral. “Kërkoj dritë, dritë,/ të më ndriçojë rrugën,/ drejt qiellit të kujtimeve…” (Grua e vetmuar) Përherë në kërkim, përherë e impenjuar në një aksion letrar a shoqëror, ndodh që Monda të më kujtojë mikun tim Viktor Canosinaj, një shkrimtar aq prodhimtar dhe përherë në një ambicje nga më të rrallat, që shkruan e boton pareshtur sikur të druhej se përndryshe mund të humbte apo mund të shkëpuste lidhjet me lexuesin, qoftë edhe vetëm për një çast. Unë e kuptoj dhe e besoj këtë zjarrmi.
Kur lexon poezitë e Mondës, të krijohet përshtypja sikur diku përqark është edhe një aparat filmi; madje edhe dikush po këndon pranë teje. Nuk është e re të themi se poezia shfaqet para nesh si një ndër artet më ‘vetmitare’, nëse mund të shprehem kështu. Mënyra se si ajo lind, se si mbahet gjatë në mendjen dhe në buzët e krijuesit, mënyra se si ngjizet për të shkuar tej sa më e plotë, të gjitha këto janë një mister. Por edhe pse kaq e brishtë, vetiake, ajo jep e merr me këngën, që fundja është arti më i përhapur. Monda është një ndër ata poetë që e njohin dhe e marrin në sy këtë lidhje. Ajo nuk “…këndon fjalët që s’duhen”, siç mund të shprehej Xhojsi. Është e kthjellët në atë se ç’do të thotë, i gjen mjetet e duhura për ta shprehur atë çka e mundon. Monda shikon qartë në gjithë kompleksitetin e të mirave dhe të këqijave, orientohet paq në detin e brengave dhe të dobësive, gjëra këto që jeta i ofron me shumicë.
Ashtu si kam shkruar edhe në një shënim tjetër, disa nga vjershat e saj janë të një natyre aq njerëzore, aq fluide, ku gjithnjë ka diçka që e ndjen nga afër, njëlloj vuajtjeje, trishtim i kënduar me vetëpërmbajtje gjithsesi: “Po zbret, që nga dega mbi mua,/ më puth te flokët, në qukën e gushës,/ dhe…në buzët e mia të dëshpëruara…” Por ky shpirt, edhe pse dridhet, dënes shpresë dhe shikon larg: “Pres të fluturoj, për në udhën tonë./ Pres çastet pa fund,/ për në pyllin tërë blerim…” (Ndikimi i poetëve të njohur lirikë, është një realitet edhe në vjershat që po kqyrrim, por askush nuk e bën rrugën vetëm dhe pa kurrfarë busulle në këtë profesion delikat.)
Poezitë më të mira të Mondës, gjithsesi, janë të vetat; ato prodhojnë njëlloj afiniteti, ngrohtësi që rrallë e ndjen. Vjershat e saj kanë një ngarkesë metaforike bindëse, gjithnjë në funksion të mendimeve të lira, pse jo edhe të dëlira njëherësh: “Mundohem të iki sa më lart,/ Të rilind,/ Të vallëzoj në qelqin e reve..” (Ëndrrat) Por nuk është në stilin e saj të kërkojë një stolisje tejet për vargjet. Poetesha mund të braktisë çdo gjë, me përjashtim të thjeshtësisë dhe të komunikimit, çka është edhe suksesi i saj; sepse siç thoshte Gëte, “…shkëlqimi vdes në çastin që ka lindur, e thjeshta i mbetet botës trashëgimi.” Të flasë me të tjerët, kjo është shumë e rëndësishme për poeteshën. Madje nganjëherë, poezia e Moisiut vjen më shumë se e natyrshme, gati naive, aq sa të jep përshtypjen se është shkruar me padurim, me ngut, në një përplasje midis ndjenjave të çastit dhe një përvoje jetësore të pazakontë, përderisa me lehtësinë më të madhe e përshkruan dashurinë edhe “…si një çun harrakat,/ që ka hypur tërë ditën majë mollëve,/ dhe, ja, e ka zënë gjumi,/ nën njërën prej tyre,/ ndërsa agimi po zbret nga kurora e mollëve,/ për ta zgjuar nga gjumi.” (Unë e ti…mëkatarë)
Monda i këndon me gjithë zemër dashurisë; nuk di të bëjë poza. Poezia e saj shpesh vizaton në mënyrë sensuale dhe ftuese; heroina e saj lirike grish pareshtur për një shtrëngim gjer në harrim; por kjo asfare nuk është dalldi. Mënyra se si ajo iu këndon çasteve të dashurisë, edhe pse me ‘mjete’ të forta poetike, ka diçka tepër femërore, që mund të cilësohet më shumë si ngazëllim, një harmoni e dëshirave më të natyrshme njerëzore, sesa një vizatim skenash plot lektisje. Me të drejtë, poeti Arqile Gjata vë në dukje se në karakterin e saj krijues, ne gjejmë “vajzën, femrën qytetare kurajoze, që brishtësinë femërore e ekspozon dhe ngrihet me guxim ndaj ambientit, rrethanave, mentaliteteve.” Jo rrallëherë, poezia e saj është e drejtpërdrejtë, ka aq shumë tension e ndjenjë, saqë mund të vijë vetëm përmes imazhit (pothuaj) filmik dhe e ngarkuar mbi epitete fort mirë të përzgjedhura: “Ne nuk kemi frikë;/ se na ndrit, një kandil,/ pasqyra në ujët e burimit./ Vështrohemi mbi burim,/ duke përkëdhelur kaçurrelat e njëri-tjetrit,/ mes burbuqeve të përflakura,/ të puthjeve të nxehta.” (Unë e ti…mëkatarë)
Duke e parë gjithë këtë krijimtari me vështrim të përqendruar, mund të thuhet se tashmë Monda e krijon poezinë tërësisht në mënyrën e vet; poezia është vetja tjetër e saj. Por kur duhet, ato të dyja shkrihen. Dhe ajo është nga ato gra, që për të bërë më të mirën për fëmijët e saj, për njerëzit e saj, për artin e saj, këndon e lufton si në atë lirikën e bukur të këngëtarit të njohur Chris Rea: “There’s a storm on my radar/ But I can still fly.” Që do të thotë se nuk ka ndër mend të thyhet. Dëshpërimi, një prani e pashmangshme për poetët e mirë, asnjëherë nuk është më i fortë, më mëtonjës se dëshira e natyrshme për të jetuar dhe për të ëndërruar. “Të ëndërroj,/ Se jemi ende zgjuar në këtë botë,/ Se diçka vjen ndryshe nga dita që shkon,/ Se jeta jetohet edhe duke ëndërruar…” (Ëndrrat)
Mendoj se këto vargje të saj, e përmbyllin në mënyrë kuptimplotë këtë shënim, ndërkohë që do ta këshilloja miqësisht ta përdorte më me kujdes retiçencën, si dhe të kishte më mirë nën kontroll ritmin dhe sidomos gjatësinë e vjershave. Pak re në një qiell kaq të kaltër…
Vankuver – Mars 2013