Quantcast
Channel: Prishtina Press - Prishtinë - New York - London » Letersi
Viewing all articles
Browse latest Browse all 126

I kujt është faji?

$
0
0

Shkruar nga Viron KONA

 1

Pasi plotësoi skedinat e llotosportit, babai i Nikut, u kthye nga i biri 10 vjeçar dhe i tha:

-Po të mësoje mirë ti Nik, unë  do të vija me dëshirë në shkollën tënde.

-Pse, do të mësosh edhe ti, o ba?

-Jo, nuk më kuptove. Do të vija të takohesha me mësuesit që t`i pyesja për ty.

-Uaa, mirë që u kujtove! – u dëgjua nga aneksi i kuzhinës zëri i mamit të Nikut.

-Më duket se duhej të kujtoheshe edhe ti! – iu kthye bashkëshorti  me ironi.

Ndërsa prindërit nisën të grindeshin me fjalë, Niku ndërhyri:

-Ti, o ba dhe, ti, o ma, s`keni pse mundoheni të vini gjer në shkollë.  Më pyesni  mua, këtu më keni gjithë ditën dhe gjithë natën.

-Nuk të pyesim ty, sepse ti, nuk na thua të vërtetën, – i tha babai.

-Provoni të më pyesni dhe unë do t`ju them të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

-Për shembull, – e pyeti mami duke zgjatur kokën nga aneksi, – pa na trego, o shpirt i mamit, çfarë notash ke marrë kësaj javë në matematikë?

-Dy katra, – iu përgjigj i qetë Niku.

-Qyqja! – thirri mami.

-Si! – ngriti zërin babai, – ke marrë dy katra në matematikë dhe s`na ke treguar?

-E pse t`ju tregoja, – iu përgjigj qetësisht vogëlushi, – Ti, o ba do të më bërtisje dhe do m`i shkulje kaq shumë veshët saqë do të m`i bëje të kuq flakë, kurse mami do të më mbyllte brenda në shtëpi me çelës dhe s`do më linte të dilja jashtë që të luaja me shokët.

Të dy prindërit heshtën pak çaste të dëshpëruar, pastaj babai, e pyeti vogëlushin me një zë të ashpër:

-Pa na shpjego pakëz, pse i more ato katrat në matematikë?

-Po ja, – nisi të shpjegojë Niku, – katrën e parë, e mora se nuk i kisha bërë vetë detyrat e shtëpisë, por i kisha kopjuar. Veç kësaj, i kisha kopjuar gabim dhe, nga nxitimi, fletoren e kisha bërë tërë njolla.

-Po pse u  nxitove  kur kopjoje detyrat, kush të detyroi? – i bërtiti  babai.

-Askush s`më detyroi, o ba, vetëm se po më prisnin shokët të luaja futboll.

-E mora vesh, tani  m`u përgjigj për  katrën e dytë.

-Të dytën e mora sepse, sapo fillova të përpiqesha të zgjidhja ushtrimin, më erdhi në mendje beteja e Akilit me Hektorin, çasti kur…

-Po ajo betejë i takon historisë, jo matematikës! – e ndërpreu babai.

-Ke të drejtë, o ba, por, në histori, m`u kujtuan hilet që bëje ti mbrëmë, kur luajtëm me letra spathi.

-Pse, edhe në histori ke marrë katër? – e pyeti mami dhe, nga inati, përplasi  me zhurmë derën e furrës së pjekjes.

-Po,  o ma, fiks, dy katra.

-Dy katra?! – shqeu sytë nga habia dhe zemërimi babai, – Kaq i trashë paske qenë ti, more djalë! Po ti na turpërove, s`dalim dot përpara syve të botës! – Pastaj, duke parë me bisht të syrit nga mami i Nikut që vazhdonte të gatuante me nervozizëm, ai iu kthye vogëlushit:

-Ore, nuk më thua, nga ke ngjarë ti, hë?

-Nga ty ka ngjarë, – i kthehu menjëherë përgjigje mami, dhe, duke dalë nga aneksi me tigan në dorë nisi të thoshte: – Unë kam qenë gjithnjë e para e klasës. Fotografia ime i jepte dritë e shkëlqim stendës “Krenaria e shkollës”. Kurse ti, o i zi, çdo vit ngelje në provim në vjeshtë, por, edhe atëherë fusje miq që të  kaloje.

-Ja, e dëgjon mamin, o ba, unë s`kam faj që marrë katra, sepse kam ngjarë nga ty, – iu përgjigj vogëlushi, duke e parë të atin drejt e në sy.

Babai shkoi tërë inat nga aneksi i kuzhinës dhe nisi të grindej me të shoqen, se po e edukonte keq të birin, ndërsa ajo ia kthente me britma se shkaktari ishte ai, sepse s`kujdesej fare për djalin, se vitin e kaluar kishte shkuar vetëm një herë në takimin me prindër, kurse këtë vit nuk kishte shkuar asnjëherë…

 

           Niku vijon të thotë vetëm të vërtetën

Grindjen e prindërve, e ndërpreu  zëri i Nikut:

-Ti, o ba dhe ti, o ma, nuk duhet të mërziteni  dhe të dëshpëroheni kaq shumë kur unë marrë nota katra?

-E përse nuk duhet të mërzitemi e të dëshpëroheni? Pa na i shpjegon pakëz? –  e pyeti babai.

-Sepse, unë i marrë për vete katrat, nuk i marr për ju. Për shembull, para dy ditësh, mësuesja e kimisë, më tha: – O Nik, o skandaloz, m`u zhduk shpejt nga sytë dhe ulu në bankë, je i papërgatitur, katër! – Këto fjalë ajo m`i tha mua, nuk jua tha juve!

-Pse, edhe në kimi ke marrë katër? – thirri babai   i alarmuar.

-Po, o ba, edhe në kimi, më janë bërë tri katra reshtë.

-Si ore, po na thua me kaq gjakftohtësi se paske marrë tre katra reshtë! – e qortoi e ëma duke iu afruar. Duart i kishte të mbuluara nga  shkuma e  sapunit.

-Thuhet, tri katra, o ma, dhe, jo tre katra, – e korrigjoi Niku.

-Po më korrigjon tani?

-Po, o ma. Duhet ta dish se, kur emri është në gjininë femërore, numërori nuk thuhet tre, por tri. As këtë nuk di ti, o ma?

-Mbase duhej ta kisha parë më mirë atë stendën: “Krenaria e shkollës”, – hodhi një romuz babai.” – Sepse po dëgjojmë se, qenka dikush tjetër që i merrte notat me mik.

Gruaja s`foli. I hodhi të shoqit një vështrim të zemëruar dhe i la të kuptonte se, tani kishin një hall më të madh sesa grindjet e tyre të pakuptimta. Ndërkohë Niku iu kthye babait:

-Mësuesi i historisë, o ba, do që  të takohet urgjent me  ty.

-Po pse? Apo, se, veç që ke mbushur disa kazanë me katra, ke bërë edhe ndonjë prapësi?!

-Jo, o ba, asnjë prapësi nuk kam bërë, vetëm se, i përsërita atij, ato fjalë që the ti javën e kaluar, kur unë të lajmërova të vije në takimin me prindër dhe ti s`erdhe.

-Pse, çfarë thashë unë javën e kaluar!?

-Ti atëherë, the:“- Qenka garip ai mësuesi yt i historisë! Mua po më zien koka nga hallet dhe punët, kurse ai dashka të më tregojë përralla me mbretër e perandorë.

-Vërtetë ia ke thënë këto fjalë!? – e pyeti  babai duke e shfaqur hapur shqetësimin..

-Po, o ba, ia kam thënë pikë për pikë, ashtu siç i  the ti!

-Por, ato fjalë unë ti thashë ty.

-M`i the mua, po ato ishin   për mësuesin, kështu që unë ia thashë atij.

-Po pse ia the, o Nik? Nuk e kupton se më ke vënë në pozitë të vështirë? – i tha babai tepër i dëshpëruar.

-Po ti vetë më ke thënë, o ba që, asnjëherë të mos gënjejë, por të them gjithnjë të vërtetën. Dhe, unë kështu bëra, thashë të vërtetën. Më plaçin sytë, nëse kam shtuar ndonjë fjalë që s`e ke thënë ti. Po deshe, pyet edhe drejtorin e shkollës.

-Pse, edhe drejtorit ia ke thënë ato fjalë? – e pyeti e ëma, edhe ajo e alarmuar.

-Po, o ma, kur po flisja me mësuesin e historisë, drejtori ishte aty dhe po dëgjonte.

-Ore, nuk më thua, ku u zhvillua ajo bisedë? – e pyeti përsëri babai.

-Në drejtorinë e shkollës, ku mua më thirrën jo vetëm për notat katra, por edhe se kisha bërë  shumë mungesa. Në përfundim më dhanë paralajmërim për përjashtim nga shkolla.

-Çfarë!? Të dhanë paralajmërim se s`ke shkuar në shkollë? Po ku ke shkuar ti?! Ne, në shkollë të kemi dërguar!

-Kam shkuar nga liqeni, o ba, me Dikun, shokun tim të ngushtë. Kemi takuar atje Plakun e Liqenit dhe ai na ka bërë nja 10 xhiro me varkë. Uf, sa  jemi kënaqur!

-Qyqja, qyqja! – ia bëri mami duke ardhur rrotull nëpër shtëpi dhe duke fshirë duart me përparëse, – Djali  as 10 vjeç dhe, shkon nga liqeni me atë plakun e shpifur. Si na u bë kështu  ky djalë! Po, doemos, se i ati as që do t`ia di për të, më shumë ka merak për ato llotot e flamosura të sportit sesa për të birin.

-Kurse ti, – i u kthye babai i Nikut të shoqes, – je mbërthyer pas televizorit dhe s`lë telenovelë pa parë. Edhe, kur ato mbarojnë, në pushimin midis njërës dhe tjetrës nis e bisedon përmbajtjet e tyre duke pirë kafe me gratë e shkallës dhe të pallatit. – Pastaj, babai iu kthye përsëri Nikut:

-Vetëm nga liqeni ke shkuar,  kur ke lënë orët e mësimit?

-Jo vetëm nga liqeni, o ba. Kemi shkuar edhe te lulishtja në qendër të kryeqytetit dhe kemi luajtur futboll me ca shokë të një shkolle tjetër.

-Edhe ata linin mësimin dhe vinin të luanin me juve?

-Po, o ba, edhe ata. Kemi formuar dy skuadra futbolli dhe bëjmë ndeshje dy ose tre herë në javë. Por, kësaj jave na mundën, kurse herë të tjera i kemi mundur ne. Rezultati është: 9 ndeshje i kemi fituar ne dhe vetëm  1 ndeshje kanë fituar ata.

-Kurse, një ditë tjetër, – vijoi Niku, – nuk vajta as nga liqeni dhe as të luaja futboll, por  bëra siç bën ti babi me shokët.

-Çfarë! – e pyeti babai tërë shqetësim.

-Po ja, të kujtohet, o ba kur më dhe ca lekë për të blerë një libër për lexim jashtë klase. Unë nuk e bleva librin, por ftova Dikun shokun tim në një lokal dhe e qerasa me birrë dhe me bërxolla derri.

-Edhe në lokal paske shkuar?

-Po, o ba dhe, u kënaqa shumë. Ti ke të drejtë që i lavdëron ato bërxollat e derrit. Edhe mua, edhe Dikut, ato na shijuan shumë. Edhe tani që po i kujtoj, po më lëshon goja lëng. Pse thonë  që është i rrezikshëm derri? – pyeti vogëlushi.

-Nuk është i rrezikshëm derri, o shpirt, po gripi i derrit, – shpjegoi babai.

-Hë, shpjegoja, shpjegoja mirë, se kjo puna e lokaleve dhe e bërxollave të derrit është specialiteti yt i preferuar dhe, ti e di më mirë se askush tjetër, – iu shkreh e shoqja, teksa kishte filluar të lante pjatat dhe, nga zemërimi i përplaste me njëra – tjetrën.

 

                              Bisedë e çuditshme edukative

Babai nuk ia vuri veshin fjalëve të së shoqes, por ul në një kolltuk dhe e thirri vogëlushin pranë:

- Nik, o xhan i babit! Ti paske bërë shumë gabime, prandaj bashkë do të bëjmë një bisedë edukative, që ti të mos gabosh më. Hë, si thua, dakord je?

-Po, o ba, dakord jam, por, çfarë bisede edukative është ajo që do bësh ti? Si ato që bëjmë ne në shkollë?

-Pse, si i bëni ju në shkollë bisedat edukative? – e pyeti babai me kureshtje.

-Po ja, atë ditë që kemi orën edukative, mësuesja hynë në klasë e gëzuar, bën apelin dhe thotë me zë të lartë: – Gjashtë! – dhe, rri në pritje të përgjigjes sonë.

-E si i përgjigjeni ju? – e pyeti e ëma,  edhe ajo me kureshtje.

-E gjithë klasa të dalë jashtë! – përgjigjemi ne si në kor me fjalët që na ka mësuar vetë mësuesja.

-Ku, jashtë? Jashtë shkollës? Nëpër makina. O e zeza unë?!

Jo jashtë shkollës, o ma, por në oborr.

-Po çfarë bëni në oborr?

-Me siguri ndonjë lojë edukative, – tha babai dhe shtoi: – Në kohët e sotme, edukimi  zhvillohet në mënyrë moderne.

-Po si zhvillohet kjo ora edukative moderne, o shpirt, – e pyeti e ëma.

-Ja, ta shpjegoj unë, o ma. Ne, pasi lodhemi duke vrapuar e brohoritur, nisim e luajmë me njëri-tjetrin me pulla, bëjmë garë se cili prej nesh do të hedh me gisht kutinë e shkrepses që ajo të qëndroj në këmbë, dhe, ai që fiton, e qerasim me një kaush me fara luledielli që e blejmë tek një tregtar që shet  te porta e shkollës. Dikush blen akullore dhe byrekë, pastaj flasim për racat e qenve, tipat e fundit të makinave dhe motorëve të garave, ndonjëherë shohim ndeshje gjelash që i sjellë ai komshiu pranë shkollës dhe ne bëhemi tifozë herë me njërin gjel dhe herë me tjetrin.

-Lekë, ju kërkon ai komshiu?

-Po,vetëm nga dy lekë, por disa nga ne vënë edhe baste.

Prindërit dëgjonin të tronditur dhe e shihnin e sy të shqyer nga habia birin e tyre.

-Nuk ju thonë gjë mësueset? -  e pyeti mami.

-Jo, o ma. Ato e kanë mendjen të shohin fatin te filxhanët e kafesë.

-Po drejtori, nuk i  shikon këto gjëra që ndodhin në shkollën e tij,-i bërtiti babai..

-Drejtori luan bilardo o ba. Kur ai i afrohet shkollës, roja lëshon një fishkëllimë siç bëjnë sorrat: kraa, kraa, kraa dhe, të tërë mësuesit, futen menjëherë në klasa. Kurse, neve, gjoja zhvillojmë lojëra popullore, ashtu siç na ka mësuar mësuesja e edukatës.

Kështu që, drejtori, as që merr vesh gjë se çfarë bëhet në shkollë.

-E mora vesh, – e ndërpreu babi, – por kjo biseda jonë edukative është ndryshe nga ajo që bëni juve në shkollë. Prandaj dëgjomë me vëmendje.

-Po, o ba, po të dëgjojë.

-E para, – nisi babi i Nikut, – ti Niku, kur ne të dërgojmë në shkollë, nuk duhet të shkosh në vende të tjera si për shembull nga liqeni, nga lulishtja, nëpër lokale etj. Je dakord me mua deri këtu?

-Po, o ba, dakord jam, vetëm se kam një pyetje: – Po te lojërat e fatit, të shkojë?

-Pse, edhe atje ke shkuar? – e pyeti e ëma e tronditur, duke lënë punët e kuzhinës dhe duke i vajtur pranë.

-Ti, paske luajtur te lojërat e fatit! – ngriti zërin i acaruar babai, duke mbajtur dorën në gjoks në krahun e zemrës.

-Po, sigurisht që kam luajtur, o ba, po, ç`e do se nuk kam fituar asnjëherë. Këtë të premten e fundit, vetëm për një pikë humba.

-Domethënë, – ia bëri babai, – çdo ditë të premte ti shkon nga lodrat e fatit, kështu?

-Po, o ba, çdo të premte, atje mund të më gjeni. Mua më njohin të gjithë.

-Si të njohin të gjithë!?

-Për mua ata thonë: – Shikoni ç`kaubojs i vërtetë është ai djalë! – dhe më marrin pranë, që të kenë fat.

Të dy prindërit  u panë një çast sy më sy.

-Vazhdoje, vazhdoje bisedën edukative ti! – i tha  gruaja të shoqit gjithë ironi.

-Mua s`po më duket iç interesante kjo lloj bisede edukative, – shprehu pakënaqësinë vogëlushi, – është më e mirë ajo edukativja që bëjmë ne në shkollë. Mund ta provosh ta bësh edhe ti, o ba, mjafton të më thuash mua: – Gjashtë, dhe unë e di vetë se ç`bëj…

-Këtu vëmendjen ti, – i bërtiti babai të birit, – apo ke ndërmend  “t`i mësosh arat babait”.

-Pse, ku i ke arat ti, o ba? – e pyeti vogëlushi me kureshtje.

-S`kam ara unë, por ashtu thuhet kur një fëmijë kërkon t`i jap mësime një të rrituri që është i rrahur me vaj e me uthull.

-Pse, o ba, – pyeti me keqardhje vogëlushi, – kush të ka rrahur ty me vaj e me uthull?

Dëgjo këtu tani Niku,mos na lodh veshët,- bërtiti babai dhe  vijoi  bisedën edukative me stilin e tij:

-E dyta që kam për të të thënë, o Niku, ti, edhe në kohën e lirë, nuk duhet të shkosh vetëm nga liqeni, por i shoqëruar, sepse  vajtja vetëm atje është e rrezikshme.

-Po unë, o ba, nuk kam shkuar asnjëherë vetëm, kam qenë me Dikun, shokun tim të ngushtë.

-Ore, do më dëgjosh mua, apo si e ke hallin!

-Mirë, o ba, ja po të dëgjojë.

-E treta, – fjalët që bisedojmë ne brenda shtëpisë, nuk u duhen treguar të tjerëve.

-Pse, o ba, janë sekret?

-Jo, nuk janë sekret, o gushëpëllumb, – deshi ta sqaroj e ëma, – por bisedat e shtëpisë nuk duhet t`i nxjerrim në pazar.

-Po unë, o ma, nuk i nxora në pazar,  në shkollë i thashë.

 

 

          Çfarë tha Niku kur e thërriti drejtori i shkollës

-Tani, – ngriti zërin i ati, – tregoji babit dhe mamit çfarë  ke thënë tjetër atje në drejtorinë e shkollës?

-Që ti, o babi, ke thënë se, “shkolla ku mëson ky keçisti  ynë, s`vlen  dy lekë, se ata mësuesit janë kot fare, se nuk dinë  gjuhë të huaja, nuk dinë të përdorin kompjuterin dhe internetin, s`dinë metodat moderne që përdoren sot në botë”. Por, kam thënë edhe  fjalët e mamit se, “mësueset e tim biri nuk kanë pikë shije, ato vishen si katundare…” Edhe ca fjalë të tjera, por që s`po më kujtohen tani.

-Çfarë fjalësh  të tjera? –  ngulmuan  të dy prindërit  duke i ulëritur vogëlushit.

Niku u mendua pak dhe tha:

-Hë, po, ja, tani m`u kujtuan. I kam thënë se ti, o babi, e ke mik të ngushtë një nga inspektorët e arsimit dhe se, ai, do t`i bëj mësuesit dhe drejtorin e shkollës sonë të hidhen përpjetë e të kërcejnë si kangurët e Australisë.

-Edhe këto ia paske thënë! – ia bëri e ëma, duke hapur krahët tepër e  habitur.

Babai  ishte bërë dyllë i verdhë në fytyrë dhe e pyeti përsëri:

-Po drejtori, si reagoi kur ti po thoshe ato fjalë?

-Ai, o ba, herë skuqej dhe herë zverdhej në fytyrë, njëlloj si ju të dy tani dhe, kur unë mbarova, më pyeti: – Vogëlush, mund të më thuash se cili nga inspektorët është miku i ngushtë i babait tënd?

-Dhe, ti si iu përgjigje? – pyeti i ati duke mbajtur frymën.

-Thashë se miku i babit tim është ai  inspektori i tmerrshëm që, në universitet ishte aq i dobët me mësime, saqë, çdo vit e bënte për dy vjet dhe, në fund, provimet i merrte me kopje ose me mik. Kurse, tani është bërë aq i zoti, saqë, kur shkon ai për kontroll, mësuesit dhe drejtuesit e shkollës i zë frika, njëlloj si lepujt kur shohin se po u afrohet ujku.

Atëherë, drejtori më tha:

-Domethënë babai tënd e krahason inspektorin me ujkun, hë?

-Po, – iu përgjigja, – babi im thotë shpesh here duke u mburrur se, miku i tij  inspektor,  është”  “ujk i vërtetë dhe me të s`mund të matet askush”.

-Bobo! – ia bëri babai duke vënë duart në kokë. Ç`na paske bërë, o djalë! Si  do guxojë unë tani e tutje t`i dalë përpara atij shoku tim inspektor?

-Pse, edhe ti ke frikë nga ai, o ba?

-Jo, xhan, – ndërhyri e ëma, – po babi nuk i del dot përpara nga turpi.

-E po, le të mos i dalë përpara, o ma, por t`i flasë  në telefon ose celular, – tha vogëlushi, duke e vënë veten në rolin e njeriut që jep këshilla.

 

                              Përse duhet t`ju marrë lejë?

Disa çaste pasoi një heshtje e rëndë, pastaj babai   foli i dëshpëruar.

-Nuk ke faj ti, or djalë, jo! Fajin e kemi ne që ta bëjmë qejfin për çdo gjë dhe të lëmë të bësh si të duash. Në vend që të mësosh, shkon dhe e kalon gjithë kohën duke luajtur dhe duke bërë gjithfarë prapësish. Prandaj, këtej e tutje, sa herë që të dalësh nga shtëpia, do të më marrësh leje mua ose mamit. Besoj se u shpreha qartë, apo jo!

-Qartë u shprehe, o ba, por unë nuk e kuptoj se, përse duhet t`ju marrë lejë juve për të dalë nga shtëpia?

-Pse, kujt mendon ti se duhet t`i marrësh lejë? – e pyeti e ëma me zë të ashpër.

-Askujt, o ma.

-Si, askujt, s`po të marrim vesh? – i bërtiti babai.

-Po ja, – shpjegoj Niku idenë e tij, – unë veproj njëlloj si ju të dy. Për shembull, ty babi, unë nuk të kam dëgjuar ndonjëherë të thuash: – Niku, o zogu i babit, unë kam dëshirë të dalë pakëz me shokët të luaj bilardo, si thua ti, të dalë? Ose, ta zëmë, mami, nuk më ka thënë ndonjëherë: – Nik, shpirt i mamit, o gush pëllumb, të dalë pakëz të bëj pazar, hë, apo nuk je dakord? As ti babi dhe, as ti mami, asnjëherë nuk keni marrë lejë nga unë, atëherë, edhe unë nuk kam përse t`ju marrë lejë juve! Më mbushet mendja për të dalë, hap derën dhe dal jashtë e luaj me shokët dhe kthehem kur të dua. Edhe ti  babi, kështu bën, kthehesh në shtëpi, kur të duash. Nuk thua ti ndonjëherë: – O ç`gallatë kemi bërë mbrëmë e gjithë natën atje te lokali “Derrat e egër”. Ose, – Sonte, – thua ti, -  kam fituar pesë lojë bilardo te lokali: “Ujqër dhe lepuj”. I bëra ata shokët e mi të flisnin me vete. Pastaj, u shtruam dhe hëngrëm nga pesë – gjashtë pjata secili të mbushura me bërxolla derri dhe pimë raki rrushi e mani deri në mesnatë. Ju, o ba hani bërxolla derri me gjithë pjata, kurse mua më bëni bisedë edukative se shkova në lokal vetëm një herë dhe hëngrëm bashkë me shokun tim të ngushtë nga një bërxollë derri të shoqëruar me birrë!

Ndërsa prindërit vijonin të dëgjonin krejt të befasuar mendimet e çuditshme të birit të tyre, Niku vijoi:

-Mësuesja na thotë: -Të dashur fëmijë! Mësoni nga më të rriturit, merrni shembull prindërit tuaj. Dhe, unë po mësoj nga ju. Ti babi, ndonjëherë më thua mua: – Niku, o rejxhërs i babit, thirri mendjes dhe mos e lësho librin nga dora. Por, unë ty, o ba, nuk të kam parë ndonjëherë të kapësh ndonjë libër me dorë! Edhe kur unë dua të pyes ty ose mamin për diçka që s`e kuptoj te librat e mi të shkollës, ti babi, më thua: – Mos më bezdis Niku, nuk e shikon se ç`probleme të vështira kam, – dhe, vazhdon të mbushësh skedinat e llotosportit. Kurse mami, pa i ngritur sytë nga telenovelat, më thotë: – Për  pyetjet që ke, o gushëpëllumb i mamit, pyet mësueset dhe mësuesit, ata për atë punë paguhen.

 

 

 

 

        Nikut i pëlqen më shumë spitali se sa shkolla

Vogëlushi thotë i menduar:

-Çudi! Mua që s`më pëlqen shkolla, nuk sëmurem fare, kurse atyre që u pëlqen shkolla dhe mësimet, sëmuren shumë herë në muaj.

-Qyqja, pse, do që të sëmuresh ti, ne të kemi si shpirt? – i tha e ëma, e shqetësuar.

-Po, o ma, po, dua, kam qejf edhe unë të sëmurem.

-Po pse, o kaubojs i babit, nuk e di ti që kur sëmuresh nuk është mirë, por është keq? – ndërhyri edhe  i ati.

-E përse qenka keq?  Atyre që sëmuren u blejnë gjithë ato gjëra të mira. U blejnë shumë lodra, shumë libra me figura me ngjyra, u blejnë nga të gjitha llojet e ëmbëlsirave dhe frutave. Atyre i çon lule mësuesja, senatorja, presidenti i shkollës dhe të gjithë shokët dhe shoqet  e klasës. Një shoku tim që është toç fare me mësime, që nuk ka marrë as edhe një pesë gjithë vitin, kur ishte në spital i çoi dhurata dhe lule edhe vetë drejtori i shkollës. Kështu ndodh, kur je sëmurë. Të gjithë të marrin me të mirë: Si je xhan? Si je sot, o shpirt? Çfarë do që të blejë, o zogu i mamit? Fol, o kampion i Kung-Fusë dhe i Xhudos, fol, çfarë dëshiron për darkë dhe për nesër në mëngjes! Hap gojën dhe kërko qumësht dallëndyshe, o kolopuç, o bullafiq i babit? Pastaj, të bëjnë humor te koka e krevatit, të kënaqin dhe të shkrijnë me histori  për të qeshur…Nuk kanë fund gjërat e mira kur je i sëmurë. Kështu që, është më mirë të sëmuresh, sesa të vesh në shkollë dhe të dëgjosh zërin e zemëruar të mësueses: “- Pa çohu ti Nik, ti derkuc me numrin 10-të (Niku kur luan futboll, në fanellë, mban numrin 10-të,  si Maradona)  dhe na trego se ç`ke katranosur me detyrat e shtëpisë!”. Pa ngriu në tabelë, ti o tetëkëmbësh, dhe na shkërmoq pakëz mësimin e ditës, ashtu siç shkërmoq dhe përtyp çdo mëngjes misrat e pjekur në oborrin e shkollës! Ose, gjatë orës, dëgjon hapat e rënda të drejtorit që lëviz në korridore dhe fillon e dridhesh nga frika. Pastaj, ai hap derën papritmas si i fortë dhe zë e ulërinë sa dëgjohet në gjithë shkollën: “- Hapni veshët dhe më dëgjoni, o minj arrash! Të mos ju shoh duke u vërtitur korridoreve, o qenë bulldogë! Këtu nuk jemi në pyll, o dhelpra dinake! Mos ndyni me putrat tuaja, muret e shkollës, o arinj mali! Nuk jemi në thellësitë e oqeaneve, o peshkaqenë dhemb-sharrë! Mos u zvarrisni nëpër shkallë si krokodilët në lumin Nil dhe breshkat në ishullin e Galapagos! Jemi në shkollë dhe jo në shpella, o tufa ujqish e çakejsh! Lani dhëmbët çdo mëngjes, o derra të egër! Pastroni këpucët nga balta, o mace dhe maçokë me çizme! E keni mbushur shkollën me lëvozhga luledielli, o kope farangrënësish! E plotë fjalë të tjera që s`po më kujtohen tani. Ja, kështu ndodh kur nuk je i sëmurë dhe shkon në shkollë. Prandaj, unë dua të sëmurem, që të kënaqem shtatë apo tetë ditë në muaj, – përfundoi Niku, teksa i ati dhe e ëma vazhdonin ta dëgjonin të habitur dhe të dëshpëruar, herë duke qortuar vogëlushin dhe, herë duke bërë sherr me njëri-tjetrin për të gjetur se i kujt ishte faji…

 

 

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 126


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>